Një 39-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Tiranë, pasi ka djegur një automjet me vlerë 100 mijë euro në rrugën “Memo Meto”. I arrestuari është identifikuar si Erges Shegani.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës. Sipas policisë i arrestuari ka djegur mjetin e 44-vjeçarit për motive të dobëta.
“Tiranë/Zbardhet brenda pak orësh, djegia e qëllimshme e një automjeti me vlerë rreth 100 000 euro. Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin e një 44-vjeçari, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Memo Meto”, për motive të dobëta.
Sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, veshjet që mbante 39-vjeçari, kur kreu krimin. Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 03:30, të datës 09.12.2025, në rrugën “Memo Meto”, ishte djegur automjeti tip “Audi” në pronësi te shtetasit J. C., 44 vjeç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit, si dhe për të zbardhur rrethanat.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Price”, brenda pak orësh, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi E. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se e ka kryer këtë krim, për motive të dobëta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime te mëtejshme”, njofton policia.



