I dha avokatit 10 mijë euro: Si iu kthyen paratë falë ‘Stop’

Në 20 dhjetor 2024 transmetuam denoncimin e zonjës Vjollca Faja, e cila u drejtua në redaksinë tonë, pasi në vitin 2014 ka fituar gjyqin për një pronë dhe nga ky vit, vendimi nuk është ekzekutuar. Në muajin mars nëpërmjet një personi, takohet me avokatin Bledar Paheshti, i cili në fillim u prezantua si përmbarues e më pas avokat dhe firmosi një kontratë, sipas të cilës, ai merrte përsipër të ekzekutonte vendimin e gjykatës. Për këtë avokati kërkoi 20 mijë euro. Në fillim do të kryhej pagesa 10 mijë euro, të cilën qytetarja e kreu dhe po priste ekzekutimin e vendimit. Avokati filloi ta sorrollaste, derisa u zhduk e ndryshoi dhe numrat e kontaktit. Nga mesazhet mes avokatit dhe klientes, duket, se mbrojtësi ligjor e ka shtyrë vazhdimisht vendimin për javën tjetër, pa e ekzekutuar kurrë.Vjollca telefonon ndërmjetësen, që e lidhi me avokatin Paheshti, por ajo tërhiqet, duke mos marrë asgjë përsipër.Nga informacionet tona, rezultonte, se në momentin e nënshkrimit të kontratës, avokati Paheshti nuk ka pasur licensë, pasi ka qenë i pezulluar nga Dhoma e Avokatisë. Një javë pas këtij transmetimi, Vjollca Faja na telefonoi, për të na thënë, se është kontaktuar nga ndërmjetësja dhe ka marrë paratë, falë emisionit “Stop”.

Të Fundit