Numri në rritje i turistëve në Qarkun e Gjirokastrës në këtë fillim pranvere e bën të nevojshëm shoqërimin e grupeve të vizitorëve nga udhërrëfyes profesionistë.
Mbrëmjen e së hënës, tre motorristë grekë humbën orientimin ndërsa vizitonin Përmetin dhe u desh ndërhyrja e forcave të policisë për lokalizimin dhe evakuimin e tyre. Raste të tilla kanë qenë të përsëritura nga turistët përsa i përket humbjes së orientimit kryesisht në relivet malorë dhe kanionet e lumenjëve.
“Duke marrë shkas edhe nga rasti i fundit në fshatin Pavar për humbjen që bënë disa turistë grekë në eksplorimin e tyre me motorra, në Shqipëri kohët e fundit, sinjalistika nuk është dhe aq e mirë. Do t’ iu sugjerojmë të gjithë që të marrin guida sidomos të liçensuara edhe të trajnuara mirë. Për rastet malore ka patur shumë raste në Shqipëri kohët e fundit edhe në zonën e Gjirokastrës, në kanionin e Langaricës ose në haiking në mal, të cilët kanë humbur drejtimin ose kanë pësuar aksidente të ndryshme duke patur edhe humbje jete në disa raste”, tha Eni Kaçi nga Guida Turistike.
I domosdoshëm bëhet shoqërimi nga guidat kryesisht për turistët e huaj që ndjekin intineraret në zonat e thella malore.
“Do përqëndrohesha më shumë tek guidat malore tek aftësitë e tyre për të drejtuar grupin sesa tek aftësitë e tyre kulturore. Në rastin në fjalë, guidat duhet të jenë patjetër të përgatitura dhe ka trajnime që bëhen dhe merr liçencën përkatëse për të qenë një guidë malore”, shtoi Kaçi.
Prej fillimit të vitit janë rreth 30 mijë turistë që kanë vizituar vlerat historike, natyrore dhe trashëgiminë kulturore në zonën e Gjirokastrës.