Dy mjekë të spitalit rajonal të Gjirokastrës, gjinekologu Dashamir Demiri dhe Kostandin Hido anestezist janë pezulluar nga detyra si mjek.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër vjen disa muaj pas vdekjes së 20-vjeçares, Klea Muxhaj, në maternitetin e Gjirokastrës.
E reja iu nënshtrua operacionit për të lindur fëmijën e saj të parë, por pas lindjes së djalit ajo shfaqi probleme shëndetësore të cilat sipas familjarëve komplikacionet u nënvlerësuan nga mjekët dhe infermieret duke shkaktuar vdekjen.
Ngjarja ndodhi më 13 nëntor 2020 ku Klea Muxhaj nga fshati Metoq i Sarandës, e martuar në Zhulat humbi jetën pasi solli në jetë një fëmijë me operacion.
Sipas burimeve zyrtare, është bërë ekzekutimi i vendimit penal i Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër, për caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për dy mjekët si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.
Nga ana e tyre të afërmit e viktimës jashtë kamerave janë shprehur se çështja është ende në prokurori dhe për të mos patur probleme avokati i ka këshilluar mos të flasin në media.
Megjithatë ata janë të vendosur për të vazhduar rrugën e drejtësisë deri sa përgjegjësit e vdekjes së vajzës të shkojnë në burg, pasi pezullimi i mjekëve nga puna nuk është i mjaftueshëm.