Një 6-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar në spitalin e Lushnjës. Fëmija u paraqit në spitalin e Lushnjës rreth orës 14:00, ndërsa prej gjashtë ditësh, mjekohej në kushte shtëpie nën kujdesin e gjyshërve.
Sipas mjekëve, i mituri vuante nga bronkopneumonia bilaterale. Pasi i janë bërë analizat, duke parë gjendjen e rënduar të tij, stafi i mjekëve vendosën ta dërgojnë për trajtim më të specializuar në Tiranë, por fëmija ka humbur jetën sapo ka hyrë në ambulancë.
Sipas bluzave të bardha, i mituri ka humbur jetën nga arresti kardiak si pasojë e sëmundjes së mëparshme.
Të pranishëm në këto momente kanë qenë mamaja dhe gjyshi i 6-vjeçarit, të cilët nuk kanë pranuar t’i bëjnë autopsinë fëmijës, duke e marrë trupin në banesë për të bërë nderimet e fundit.
Për këtë rast, drejtoria e spitalit Lushnjë shprehet se do të jetë Ministria e Shëndetësisë, që do të japë më shumë sqarime për rastin, ndërsa nga Policia e Lushnjës bëhet me dije se janë bërë procedurat dhe i janë nisur prokurorisë për vlerësimin e këtij rasti tragjik.