Këtë të dielë janë zhvilluar homazhet për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur të skenës dhe kinematografisë Fitim Makashi, i cili u nda ditën e djeshme nga jeta në moshën 82-vjeçare.
Përveç se ishte i njohur për rolet dhe kontributin e tij në artin skenik, i ndjeri ishte i njohur dhe si babai i artistit të njohur, këngëtarit Redon Makashi.
Gjatë homazheve për mikrofonin e medias ka folur dhe djali i tij, Redon Makashi, i cili gjatë intervistës është përlotur dhe emocionuar, duke shprehur se i dukej ende si një ëndërr kjo humbje e të atit.
“Na ra kështu, si një…. Dhe në kohën që po flasim bashkë, më duket si një ëndërr. Miqtë e kanë respektuar shumë babain dhe kjo ma heq pak atë dhimbjen. Këta kanë qenë një brez që nuk kthehen më. Sinqeriteti i tyre dhe shoqëria e tyre… Ai në shtëpi fliste edhe për miqtë e tij, por edhe për miqtë e tij që kishin shkuar para tij. Sado sado, është një dhimbje që vetëm brenda e ndiejmë. U shkëput herët nga teatri, sepse ndodhën ato trazira dhe në atë periudhë ai, si nëna dhe babai, u detyruan të iknin në Amerikë për 15 vite. Dhe sa herë i shihja që ktheheshin nga ai vend, ktheheshin gjithmonë e më të plakur. Edhe i thoja që të rrinin në Shqipëri, sepse këtu i kishin shokët e miqtë. Nuk ishte e lehtë jeta jashtë. Gjithsesi, sot kur shoh shokët e tij, ma lehtëson pak dhimbjen. Por është dhimbje e pashërueshme”, tha Makashi.



