Hiqej si drejtor policie, si u zbulua 20-vjeçari që u jepte urdhra edhe policëve në Portin e Durrësit

Policia e Kamzës arrestoi më 2 nëntor 20-vjeçarin Ervis Brasha, i cili u kap duke qarkulluar me automjetin e tij, i veshur me uniformë policie dhe stema zyrtare.

Hetimet zbuluan se i riu hiqej si polic, madje në disa raste edhe si drejtues policie dhe kishte arritur të dërgonte “urdhra” përmes email-it të rremë edhe tek efektivë policie. Gjithashtu, duke u hequr si polic ai ka kontaktuar edhe efektivë të Portit të Durrësit, duke ndërhyrë në punën e tyre dhe duke i marrë informacion, shkruan A2.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan katër karta identiteti të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive, uniformë policie, 16 stema e grada drejtuese, si dhe tre kapele me shenja të Policisë së Shtetit.

Brasha kishte krijuar kontakte me punonjës të vërtetë policie, i shkruante atyre në rrjetet sociale dhe publikonte foto e video në institucione shtetërore, i veshur me uniformë. Në disa raste, ai ka hyrë edhe në Akademinë e Sigurisë, duke filmuar brenda ambienteve pa autorizim zyrtar, duke ngritur dyshime se mund të ketë pasur ndihmë nga persona të brendshëm.

Sipas burimeve hetimore, 20-vjeçari dyshohet se ka përfituar para duke kërcënuar qytetarë, por po hetohet edhe pista nëse është përdorur nga grupe kriminale për t’u shtirur si polic në veprime të paligjshme.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të thelluara.

Të Fundit