Hetim i thelluar ndaj prokurores së Sarandës, Esmeranda Basho/ Dyshohet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI) ka nisur një hetim të thelluar ndaj prokurores së Sarandës, Esmeranda Basho, pas dyshimeve serioze për fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe mosdeklarim të saktë të burimeve financiare.

Sipas të dhënave të publikuara në media, prokurorja Basho ka rezultuar me mospërputhje të theksuara ndërmjet të ardhurave të deklaruara dhe pasurive në pronësi, përfshirë një apartament për të cilin ajo nuk ka sqaruar burimin financiar

Një prej elementëve që ka ngritur dyshime është deklarimi i një banese me qira në vlerën absurde prej vetëm 5 mijë lekësh në muaj, shifër që bie ndesh me realitetin e tregut të qirave në Sarandë, veçanërisht për një funksionar të këtij niveli. Ky detaj është konsideruar nga burime pranë ILDKPI-së si “indikator i fortë për fshehje reale të pasurisë”.

Po ashtu, hetimi ka zbuluar se Basho zotëron pasuri të tjera, përfshirë prona dhe mjete të lëvizshme, për të cilat nuk ka justifikim ligjor të burimit të të ardhurave. ILDKPI pritet të kërkojë edhe verifikim të thelluar bankar për të identifikuar çdo të ardhur të padeklaruar.

Nëse dyshimet e konfirmuara nga kontrolli pasuror rezultojnë të vërteta, rasti i prokurores Esmeranda Basho mund të kalojë për ndjekje penale, sipas nenit 257/a të Kodit Penal që parashikon dënime për deklarim të rremë ose fshehje pasurie nga funksionarët publikë.

Ky zhvillim vjen në një moment kur besimi i publikut te organet e drejtësisë është në pikën më të ulët, dhe çdo rast që ngre hije dyshimi mbi integritetin e një prokurori, shton krizën e besueshmërisë në sistemin e drejtësisë.

Në pritje të përfundimit të hetimeve, ILDKPI pritet të publikojë një raport përfundimtar, i cili mund të çojë në masa disiplinore dhe penale, ndaj prokurores Basho, në bazë të provave që do të rezultojnë gjatë procesit të verifikimit.

Ky skandal nuk është i ri për publikun, pasi është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga emisioni investigativ “Stop” në TV Klan, i cili ka sjellë në vëmendje rastet e dyshimta të pasurisë së prokurores Esmeranda Basho dhe mënyrën e saj të deklarimit në ILDKPI.

Emisioni ka publikuar dokumente, dëshmi dhe kontrata qiraje që tregojnë mospërputhje flagrante mes deklarimeve zyrtare dhe realitetit ekonomik, duke ngritur prej kohësh alarmin për mungesën e transparencës dhe standardeve etike në radhët e drejtësisë shqiptare.

Të Fundit