Heqja e ‘non gratës’/ Trump merr detyrën në janar, Berisha: Kam kontakte, besoj se do të shqyrtohet akti i rëndë që u bë

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur shpresë tek Sali Berisha, për të hequr njollën e non grata-s amerikane.

Berisha është shprehur mbrëmjen e djeshme se shpreson shumë se me marrjen e detyrës nga administrata e re amerikane, në Janar 2025, presidenti i ri Donald Trump do të shqyrtojë shpalljen e tij non-grata.

“Shpresoj plotësisht që administrata e re amerikane do të shqyrtojë këtë çështje. Zhvillimet e furishme të muajit të fundit, ku nuk ka sot një parti të qendrës së djathtë në botë që nuk ka votuar kundër arrestimit të Sali Berishës, nuk ekziston”, tha Berisha.

I ftuar në emisionin “Opinion”, kryetari i PD u shpreh më tej se “Sali Berisha ecën drejt fitores me mbështetjen më të madhe ndërkombëtare të të gjitha kohërave. Unë kam kontakte, por besoj se do të shqyrtohet akti i rëndë që u bë.”

Sali Berisha së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij Shkëlzen dhe Argita, janë zyrtarisht në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpalljen non-grata të familjes Berisha e njoftoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në vitin 2021.

Të Fundit