Fëmijët e kopshtit publik në Gramsh u helmuan nga prania e salmonelës në vezët e konsumuara gjatë vakteve në këtë institucion.
Në këtë përfundim ka dalë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas analizave të bëra në laborator, ku prania e salmonelës tek vezët rezultoi pozitive. Nga 79 personat e testuar, 17 prej tyre rezultuan bartës të bakterit, mes tyre 16 ishin fëmijë të kopshtit bashkë me psikologen e institucionit.
Kur kanë kaluar afro 1 javë nga shpërthimi i skandalit, 6 fëmijë vijojnë të marrin mjekim në shtëpi, me gjendje shëndetësore të qëndrueshme. AKU analizoi edhe mishin e pulës dhe qumështin që përdorte kopshti, por të dy produktet rezultuan negative në analizat e kryera. AKU ka vendosur pezullimin e aktivitetit të kopshtit deri në përfundimin e procedurave të dezinfektimit dhe analizave.
Për skandalin në fjalë, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të infektimit të fëmijëve, ndërkohë që janë marrë në pyetje personat përgjegjës për ngjarjen.
Vetë kryetari i Bashkisë së Gramshit, në një prononcim në fillim të javës, pasi sqaroi funksionimin e regjimit ushqimor në kopsht, kërkoi përkujdesen maksimale për shëndetin e fëmijëve dhe zbardhjen, se si ushqimi me përmbajtje salmonele është bërë pjesë e regjimit ushqimor të fëmijëve.
Skandali i pranisë së salmonelës në ushqimet që konsumojnë fëmijët e kopshtit në Gramsh u zbulua 1 javë më parë, kur disa prej fëmijëve shfaqën simptoma të njëjta, si të vjella, diarre dhe temperaturë. Këto shenja nxitën dyshimet tek mjekët të cilët kërkuan analiza të hollësishme nga ISHP, ndërsa vetë prindërit protestuan para godinës së Bashkisë së Gramshit, duke kërkuar masa të rrepta për cilësinë e ushqimeve që konsumojnë të vegjlit e tyre.