Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ka shfaqur mbështetje për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Ajo ka qenë e pranishme në seancën gjyqësore që po zhvillohet për Veliajn, duke theksuar mbështetje për të në një moment të rëndësishëm.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua mëngjesin e 10 shkurtit nga zyrtarë të SPAK dhe BKH-së. Aksioni u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku Veliaj u dërgua në qeli pas një hetimi të drejtuar nga Gjykata e Posaçme. GJKKO ka vendosur gjithashtu masën “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, ndërsa 5 biznesmenë janë vënë në detyrim paraqitje.
Hetimet për Veliajn filluan me kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes dhe sekuestrimin e telefonit të tij celular, më 6 dhjetor, nga oficerët e policisë gjyqësore. Po ashtu, kontrollohet edhe banesa e vëllait të kryebashkiakut. Prokuroria e Posaçme ka hapur një hetim pasuror ndaj Veliajt dhe po shqyrton rolin e tij në çështje të ndryshme, përfshirë atë të inceneratorit të Tiranës dhe lidhjet me kompaninë “5D”. Veliaj ka reaguar pas arrestimit, duke shprehur mbështetje për veprimet e Prokurorisë.