Hajdutët telefonojnë policinë për ndihmë gjatë një grabitjeje – ja ç’ndodh më pas

Këta dy amerikanë mund të shkojnë në histori si hajdutët e vetëm që marrin policinë në telefon për t’i ndihmuar gjatë një grabitjeje.

Sherifët në Florida arrestuan dy hajdutë gjatë fundjavës, të cilët dyshohet se rrëmbyen një shtëpi para se njëri prej tyre të thërriste 911-shin (numrin e policisë dhe emergjencës në Shtetet e Bashkuara) me qëllim që t’i kërkonte policisë ndihmë për të lëvizur sendet nga një shtëpi të cilën ata sapo e kishin grabitur!

Sado e çuditshme mund të tingëllojë, kjo është ajo që raportuan autoritetet amerikane këtë fundjavë.

– Advertisement –

Zinxhiri i ngjarjeve filloi të shpalosej rreth orës 1 të mëngjesit të së shtunës në qytetin e Kissimmee, rreth 10 km nga Orlando.

Një dyqan i ‘Dollar General’ u grabit dhe ndërsa sherifët shqyrtonin pamjet e sigurisë nga dyqani, njëri prej tyre njohu një të dyshuar, të identifikuar si Martin Gonzalez-Garcia, por autoritetet nuk mundën ta gjenin menjëherë.

Megjithatë më vonë gjatë asaj dite, pati një thirrje urgjence në numrin 911 në të cilën “askush nuk foli”.

Kur sherifët arritën në shtëpinë nga erdhi thirrja, u duk se askush nuk jetonte atje. Oficerët ama gjetën “një derë të pasigurt” dhe hynë në shtëpi “për t’u siguruar që gjithçka ishte në rregull”.

Atje ata gjetën Gonzalez-Garcia dhe një grua, Ashializ Roldan-Oscacio, e përshkruar si e dashura e Garcias dhe asnjëri prej tyre nuk rezultoi të ishte i regjistruar si banues në këtë shtëpi.

Gonzalez-Garcia u arrestua për vjedhjen e dyqanit Dollar General dhe shtëpisë së bashku me Roldan-Oscacio.

“Dhe më pas erdhi pranimi befasues i Liz-it…” tha zyra e sherifit në postimin e tyre në Facebook.

“Ajo tha se kishte telefonuar 911-shin me qëllim që oficerët e policisë ta ndihmonin atë dhe Martinin për të lëvizur sendet e tyre nga shtëpia (ajo të cilën ata po e grabisnin), dhe se ata po përpiqeshin të shkonin në aeroport, sepse donin të shkonin në Nju Jork për të kaluar fundjavën”.

“Oficerët i ndihmuan vërtetë ata me gjërat e tyre dhe u dhanë edhe një udhëtim falas, ama jo për në aeroport,” tha zyra e sherifit. “Por për në stacionin Polk Pokey. Dhe ata janë të mirëpritur të qëndrojnë atje gjatë të gjithë fundjavës.”

Të Fundit