Gruaja martohet me dy burra, një në Milano dhe tjetri në Montekatini, shqiptarja rrezikon 5 vjet burg

Një ngjarje e pazakontë dhe mjaft kurioze ka zbuluar një rast bigamie në Montekatini Terme, provinca e Pistoias. Protagoniste është një grua me origjinë shqiptare e cila, pa u divorcuar ndonjëherë nga burri i parë, është martuar me një burrë të dytë, bashkëkombës i saj dhe banues në qytetin termal.

Mediat italiane shkruajnë se zbulimi ndodhi thuajse rastësisht, gjatë verifikimeve të Policisë në kuadër të një procedure administrative. Gruaja kishte paraqitur kërkesë për leje qëndrimi për arsye familjare.

Martesa të dyfishta, por një nuse e vetme

Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, oficerët e komisariatit lokal vunë re menjëherë një anomali. Gruaja kishte deklaruar se ishte martuar së fundmi me një shtetas shqiptar banues në Montekatini. Por nga verifikimet rezultoi se ajo ishte e martuar që prej vitit 2004 në Milano me një shtetas italian – martesë që nuk ishte zgjidhur asnjëherë ligjërisht.

Pavarësisht kësaj, në mars të vitit 2025 ajo kishte kryer një martesë të dytë në bashkinë e Montekatinit, duke krijuar kështu një situatë të qartë të dy martesave të njëkohshme.

Zbulimi çoi në pezullimin e menjëhershëm të procedurës për leje qëndrimi, dhe gruaja u kallëzua në organet gjyqësore për veprën penale të bigamisë, siç parashikohet në nenin 556 të Kodit Penal italian.

Sipas ligjit, “kushdo që, duke qenë i martuar me efekt civil, lidh një martesë tjetër, edhe ajo me efekt civil, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.” E njëjta ndëshkim zbatohet edhe për atë që, pa qenë vetë i martuar, lidhet në martesë me një person që është tashmë i martuar ligjërisht. Ligji parashikon gjithashtu një rrethanë rënduese, nëse personi mashtron bashkëshortin/en e dytë duke e bërë të besojë se është i/e lirë nga çdo lidhje martesore.

Hetimet vijojnë

Hetimet e Policisë janë ende në vijim për të zbuluar detaje të tjera të kësaj ngjarjeje dhe për të verifikuar nëse ka pasoja të tjera, përfshirë në nivel dokumentacioni apo çështje familjare. Sipas ligjit, vazhdimi penal mund të pushojë nëse martesa e parë shpallet e pavlefshme ose nëse martesa e dytë anullohet për arsye që nuk lidhen me bigaminë, duke bërë që të pushojnë edhe efektet penale për pjesëmarrësit.

Sipas të dhënave të hetimit, gruaja rezulton të jetë banuese në Shqipëri dhe, deri në zbulimin e martesës së dytë, procedura për leje qëndrimi do të kishte vijuar pa pengesa. Por sapo është konstatuar gjendja e dy martesave paralele, gjithçka është pezulluar.

Ngjarja ka ngjallur kuriozitet dhe debat në qytetin termal, ku kjo histori është përjetuar si një skenar i një romani, por e vërtetuar nga dokumente zyrtare.

Të Fundit