Grenell reagon për Thaçin: Gjykata e Hagës ka dështuar, turp që mbahet në burg

Richard Grenell, i dërguari i presidenit Trump për misione të posaçme, ka reaguar pas intervistës së fundit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhënë nga qelia në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Grenell e konsideron turp dhe padrejtësi faktin që Thaçi ndodhet ende në paraburgim, ndërsa e cilëson të gjithë procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së si një farsë.

“Jack Smith (po, ai që mendoni) arrestoi Hashim Thaçin në vitin 2020, ndërkohë që administrata e Donald Trump po punonte për marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë. Është turp që ai ende mbahet në burg. Kjo është një farsë. Gjykata e Hagës është e dështuar”, shkroi Grenell në rrjete sociale.

Kujtojmë se prokurori Jack Smith, është i njohur dhe për hetimet ndaj Donald Trump.

Në një intervistë të dhënë për mediat në Kosovë nga qelia, Hashim Thaçi deklaroi se rikthimi i Donald Trump në skenën politike përbën një shans të ri për paqen në Ballkan.

“Është një mundësi e artë për Kosovën dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Thaçi, duke e cilësuar Trump si një lider të përkushtuar për paqen dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve.

Ai shtoi se megjithëse është i privuar fizikisht nga liria, populli i tij është i lirë dhe se kjo është çmimi i përballjes me tiraninë.

“Unë sot jam i privuar përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht”, tha Thaçi.

Ndërkohë, më 15 shtator pritet të nisë faza e re e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të paraqiten provat nga ana e mbrojtjes. Procesi ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij po ndiqet me interes të lartë si brenda Kosovës, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.

Të Fundit