Një grabitje ka ndodhur në zemër të Parisit, në Muzeun e Luvrit, ku autorë ende të paidentifikuar vodhën stoli me vlerë të pallogaritshme nga koleksioni i Napoleonit III dhe perandoreshës Eugenia, brenda vetëm shtatë minutash.
Pas ngjarjes, muzeu u mbyll për vizitorët, ndërsa autoritetet po zhvillojnë hetime intensive për identifikimin dhe arrestimin e grabitësve.
Sipas gazetës Le Parisien, grabitja u krye nga katër persona. Dy prej tyre, të maskuar si punëtorë ndërtimi me jelekë të verdhë reflektues, ndodheshin në një kamion me vinç, ndërsa dy të tjerë prisnin me skuterë për arratisje.
Me ndihmën e vinçit, arritën të ngjiteshin direkt në katin e parë të ndërtesës, nga ana e lumit Sena, aty ku po kryheshin punime restaurimi.
Ata hynë në Sallën e famshme të Apollonit, ku ruhen stolitë më të çmuara dhe reliket perandorake. Me një makinë prerëse (turri), thyen dy vitrina, njëra me “bizhuteritë e Napoleonit” dhe tjetra me “bizhuteritë e sundimtarëve francezë” dhe grabitën përmbajtjen e tyre.
Pas grabitjes, autorët zbritën sërish me ndihmën e vinçit dhe u larguan me dy motorë sportivë Yamaha Tmax.
Policia gjeti në vendngjarje dy makina prerëse, karburant, doreza, një jelek pune, një batanije dhe një stoli të rrallë që kishte rënë gjatë arratisjes: kurora e perandoreshës Eugenia, e dëmtuar pjesërisht, sipas agjencisë AFP.
Kurora përbëhet nga 1.354 diamante dhe 56 smeralde, dhe është një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë perandorake, siç përshkruhet në faqen zyrtare të Muzeut të Luvrit.
Çfarë u vodh dhe çfarë u shpëtua
Sipas informacioneve, autorët grabitën një set bizhuterish, një varëse qafe, një palë vathë dhe dy kurora, përfshirë atë të Eugenias që u gjet më pas.
Mendohet se edhe një tjetër objekt i çmuar është rikuperuar, por ende nuk është konfirmuar se për çfarë bëhet fjalë.
Nga ana tjetër, diamanti i famshëm “Régent”, me mbi 140 karatë, nuk është mes objekteve të vjedhura. Ky diamant është i njohur edhe si “i mallkuari”, pasi besohet se solli fatkeqësi për çdo zotërues të tij.
Grabitje në Luvër janë jashtëzakonisht të rralla, falë masave të rrepta të sigurisë. Më e njohura mbetet ajo e vitit 1911, kur u vodh “Mona Liza” e Leonardo da Vinçit.
Në atë kohë, u morën në pyetje edhe figura si Guillaume Apollinaire dhe Pablo Picasso, por autor ishte një italian që pretendonte se po “kthehej” piktura në Itali për motive patriotike. Tabloja u gjet tre vite më vonë në Firence.
Në vitin 1983, disa pjesë të një pajisjeje luftarake nga shekulli i 16-të u zhdukën dhe u zbuluan vetëm në vitin 2011. Po ashtu, në 1998, u vodh një pikturë e Camille Corot, e cila ende nuk është gjetur.
Muzeu i Luvrit është institucioni kulturor më i vizituar në botë, me një mesatare prej 30.000 vizitorësh në ditë dhe një total prej 9 milionë vizitorësh gjatë vitit 2024, nga të cilët 80% janë turistë të huaj.