Një 37-vjeçar, banues në Tiranë ka rënë në prangat e policisë pasi ka grabitur një shumë prej 6000 Eurosh në një hotel në lagjen nr. 2, Ksamil si dhe ka tentuar të vjedhë edhe një automjet të parkuar.
Policia bën të ditur se 37-vjeçari dyshohet si autor i disa vjedhjeve të tjera, të kryera gjatë muajit Dhjetor 2024, në qytete të tjera.
Ndërkohë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vjedhja”.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Serial thief”.
Vodhi një çantë me 6000 euro në një hotel dhe tentoi të vidhte në një automjet të parkuar, identifikohet dhe arrestohet 37-vjeçari, me precedent penal për vjedhje.
37-vjeçari dyshohet si autor i disa vjedhjeve të tjera, të kryera gjatë muajit dhjetor 2024, në qytete të tjera.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një pune intensive hetimore dhe nga këqyrja kamerave të sigurisë, për zbardhjen e vjedhjeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Serial thief”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit:
A. M., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më 04.01.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, në ambientet e një hoteli, ka vjedhur një çantë me 6000 euro, ndërsa në lagjen nr. 4, Sarandë, ka tentuar të vjedhë sende nga një automjet i markës “Audi Q5”, duke thyer xhamin e derës së drejtuesit të automjetit.
Nga veprimet hetimore të mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. M. ishte shpallur në kërkim për katër vjedhje të tjera, konkretisht:
-më datë 13.12.2024, në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë, si dhe ka vjedhur një celular;
-më 08.12.2024, në Tiranë, dyshohet se ka vjedhur në një banesë dhe në një kioskë.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vjedhja”.