Policia në Vlorë ka arrestuar dy persona, pasi dyshohet se kanë kryer së paku 6 vjedhje në Dukat, Radhimë e në Orikum.
Në pranga kanë rënë shtetasit Jemin Selamaj dhe Genci Goxhoj.
“Zbardhen dhe dokumentohen 6 raste të vjedhjes, të kryera në Dukat, Radhimë dhe Orikum.
Identifikohen dhe vihen në pranga dy autorët e dyshuar. Sekuestrohet ruloti i vjedhur, që u gjet i fshehur, në banesën e njërit prej autorëve.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Rulot,” si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit: J. S, 26 vjeç, banues në Orikum, G. G., 38 vjeç, banues në Dukat.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 14.12.2024, në fshatin Dukat, kanë vjedhur një shumë prej 700 euro dhe 25,000 lekë në banesën e shtetases R. I, si dhe një rulot ( camper) në pronësi të shtetasit A. C, i cili u gjet dhe u sekuestrua gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G. G.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas dyshohen si autorë të 4 vjedhjeve të tjera të kryera gjatë 3 muajve te fundit, konkretisht: Vjedhje të disa koshereve të bletëve në Radhimë dhe Llogara dhe vjedhje të disa bagëtive në Radhimë dhe Orikum.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”- njoftoi policia.