Pas raportimit të sulmit të papritur ndaj agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Operacionales në Fier, janë vënë në pranga dy nipërit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe një person tjetër.
Janë arrestuar L. Kapllanaj dhe K. Kapllanaj (nipërit e Agron Kapllanajt), dhe shtetasi G.K. Nuk dihet ende roli i familjarëve të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës në sulmin fizik të oficerëve.
Më herët, u raportua se konflikti nisi prej fjalëve fyese, e më pas përfundoi në përplasjen fizike mes agjentëve dhe njerëzve të Kapllanajt.
Këta të fundit kanë pretenduar se oficerët u janë dukur si persona të dyshimtë. Deri më tani dihet se agjentët kishin zbarkuar në terren në ndjekjen e një çështjeje, por nuk dihet nëse ka lidhje apo jo me Kapllanajn.
Sakaq, deri më tani uniformat blu nuk kanë dhënë asnjë njoftim zyrtar përveçse atij të djeshmit, ku lajmëronte se oficerët janë goditur për shkak të detyrës.
“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njoftoi policia mbrëmjen e të martës.