Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Elbasanit, pasi dyshohet se ka plagosur me thikë vëllain.
Gjatë kontrolleve të kryera në banesën e 35-vjeçarit uniformat blu sekuestruan thikën dhe disa fishekë arme gjahu. Fatmirësisht i lënduari, 46-vjeç ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Elbasan ishte paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, një 46-vjeçar, me dëmtime të shkaktuara me mjet prerës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u kap dhe u arrestua në flagrancë autori i dyshuar, shtetasi B. H., 35 vjeç, banues në fshatin Labinot Fushë, i cili dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë), në dorë, vëllanë e tij, shtetasin A. A., 46 vjeç, për motive të dobëta. I dëmtuari është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në banesën e 35-vjeçarit, u gjetën dhe u sekuestruan thika me të cilën dyshohet se ka kryer krimin dhe disa fishekë arme gjahu”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.



