Gert Shehu i është drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë për sa i përket vendimit të Shkallës së Parë që caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ai ka dorëzuar ankim ndaj vendimit në fjalë duke kërkuar masë më të lehtë sigurie.
Shehu akuzohet për goditje për shkak të detyrës dhe plagosjes së lehtë me dashje të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.
Më 6 dhjetor, 31-vjeçari Gert Shehu goditi me grusht kreun e PD-së Sali Berisha teksa ky i fundit doli nga selia blu dhe iu bashkua protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në momentet që agresori goditi me grusht Berishën, truprojat e tij dhe simpatizantë të PD-së nuk kursyen dhunën ndaj të riut.
Ky i fundit përfundoi në Spitalin e Traumës.
Nga demokratët erdhën akuza se gjithë ngjarja është e inskenuar nga kryeministri Edi Rama. Madje Berisha kërkoi edhe lirimin e Shehut nga burgut duke e quajtur atë një viktimë.
Nëna e të riut, në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, mohoi kategorikisht deklaratat e kreut të PD Sali Berisha se i biri ishte agjent policie apo i infiltruar.
Ajo tha se djali i saj kurohet prej 5 vjetësh për çrregullim bipolar, gjë që u konfirmua për Euronews Albania edhe nga mjeku i tij Sadik Lala.