Gledis Nano:Rënie 100%, zero kg kanabis e kapur në brigjet italiane nga Shqipëri

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në një konferencë për shtyp të zhvilluar ditën e sotme me autoritetet italiane për luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike tha se gjatë vitit 2021 ka pasur rënie me 100 për qind dhe zero kg kanabis të kapur në brigjet italiane nga Shqipëria.

Gjatë fjalës së tij Nano dha detaje edhe për mënyrën e organizimit të punës së Policisë së Shtetit për kontrollin e territorit përmes përdorimit edhe të dronëve dhe helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Kemi ndarë zonat e kontrollit dhe përgjegjësive, duke organizuar grupe përgjegjëse për territore konkrete, nga qendra në bazë, ku çdo punonjës policie kishte përgjegjësi për një territor të caktuar. Në total për vitin 2021, Policia e Shtetit ka kryer gjithsej 145.555 kontrolle dhe janë kryer 383.689 orë shërbimi; Është intensifikuar kontrolli i territorit nëpërmjet përdorimit të dronëve, ku për vitin 2021, janë përdorur 50 dronë, nga 24 të tillë të përdorur më 2019 dhe 38 përdorur për vitin 2020; Për monitorimin ajror janë përdorur me efikasitet helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes, ku për këtë vit janë kryer 69 orë fluturimi”, tha Nano.

Më tej, Nano nënvizoi bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me partnerët italianë.

“Ne kemi vendosur tashmë standardin e bashkëpunimit nëpërmjet shkëmbimit të përvojës dhe informacionit me policitë e vendeve të rajonit. Suksesi i viteve të fundit është arritur edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me partnerët italianë.

Në maj 2021, Guardia di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit. Janë kryer 70 misione ajrore me 182 orë fluturimi. Në total për vitin 2021, nga monitorimi ajror, janë identifikuar dhe asgjësuar 92,428 bimë narkotike krahasuar me 58,423 bimë narkotike kanabis sativa të identifikuara dhe asgjësuara gjatë vitit 2020.

Gjatë periudhës referuese bazuar në statistikat e kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 100 %, nga 911 kg në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në zero gjatë këtij viti”, tha Nano.

Të Fundit