“Gjyqtarët në gjyq për pagat”, Rama: U ka marrë koka erë, mendojnë se janë shteti

Kryeministri Edi Rama tha në podkastin e tij Flasim se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të hequr pezullimin e Ballukut eliminoi një precedent të rrezikshëm ku gjyqtari tentoi të merrte kompetencat e qeverisë.

Duke iu referuar drejtësisë së re, Rama tha se ka nevojë për reflektim ndërinstitucion teksa iu referua kërkesë së shoqatës së gjyqtarëve për të rritur rrogat e tij, që sipas tij është sërish përpjekje për marrje kompetencash dhe ndërhyrje në arkën e shtetit.

“…Jo për herë të parë, fatkeqësisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjesht të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqipërisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtësisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ia rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për SPAK-un.

Një shprehje e urtë italiane thotë “due indizzi non fanno una prova”, dy indicie nuk përbejnë një provë – çka sot ne fakt po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbejnë, jo një provë, po dy dënime.

Por unë, nuk do ta ndjek kurrsesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia”, tha Rama

Të Fundit