Julio Coria, ish-truproja e Diego Armando Maradonës, është arrestuar në kuadër të hetimeve për vdekjen e legjendës argjentinase të futbollit.
Coria u dërgua në paraburgim pas dyshimeve se ka dhënë dëshmi të rreme gjatë gjyqit ku po hetohet roli i mjekëve në vdekjen e Maradonës.
Truproja, ishte një person shumë i afërt me futbollistin dhe ndodhej në bnanesën e tij ditën që ai ndërroi jetë.
Maradona vdiq më 25 nëntor 2020 në moshën 60 vjeçare, ndërsa po trajtohej në banesë pas një operacioni në tru për mpiksje gjaku.
Prokurorët po akuzojnë ekipin e tij mjekësor për një trajtim të papërshtatshëm dhe neglizhencë.
Coria, i cili kishte tentuar të ndihmonte Maradonën me reanimim gojë më gojë, u arrestua pasi mohoi në gjyq se kishte komunikuar me mjekun personal të Maradonës, Leopoldo Luque.
Hetimet zbuluan mesazhe mes Coria dhe Luque, të cilat treguan se ata kishin diskutuar për shëndetin e Maradonës para dhe pas vdekjes së tij. Pas këtyre provave, prokuroria kërkoi arrestimin e Corias.
Në gjyqin e Maradonës, shtatë mjekët akuzohen për “vrasje të qëllimshme”, për shkak të dyshimeve se ata ndërmorën një trajtim mjekësor pavarësisht se e dinin se mund të çonte në vdekjen e futbollistit.
Prokurorët argumentojnë se Maradona u la të vdiste në një “periudhë të zgjatur dhe të mundimshme” për shkak të mjekëve.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë deri në muajin korrik, me më shumë se 120 dëshmitarë që pritet të japin deklarimet e tyre.