Në seancën e sotme në GJKKO po jepen konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes së ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.
Në këtë seancë, avokatët e Kokës kanë pretenduar për një proces të stisur politikisht, sipas tyre, që ka një porositës.
“Provat në 120.000 faqe dosje hetimore faktojnë pafajësinë absolute të Lefter Kokës për 3 akuzat. Proçesi është i stisur politikisht, ka porositës dhe ekzekutor. Dy takimet që pretendohet se Lefter Koka ka marre pjesë në diskutime me Albtek faktohet nga TIMS se ka qenë jashtë Shqipërisë. Kosto e impiantit të Elbasanit është më ekonomikia e mundshme. Landfilli kushton 3-fish më pak nga ai i Vlorës, 2-fish më pak nga Saranda”.
Sipas avokatëve të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka nuk ka përfituar asnjë shumë parash korrupsion nga inceneratori i Elbasanit, dhe kjo sipas tyre, duket në faktin që pasuria e ish-ministrit nuk është shtuar, bazuar dhe në raportet e ILDKPKI.
“Lefter Koka nuk ka asnjë pasuri të shtuar pas 2013, faktuar nga hetimi dhe ILDKPKI. Ku janë paratë e korrupsionit? Shoqëritë kanë kryer evazion fiskal me njëra-tjetrën pa lidhje me Lefter Kokën dhe janë dënuar nga gjykatat e rretheve për këtë vepër. Hetimi u devijua. Kjo çështje është e hetuar dhe gjykuar në Gjykatën e Elbasanit. Eshtë anti-kushtetuese të rigjykohet. Do t’i drejtohemi Strasburgut.
Prona që kërkoni të sekuestroni është themeluar në vitin 1927 dhe është privatizuar në 2000. Kjo është dhunë në emër të ligjit. Janë pyetur 81 persona , askush deri më sot nuk dëshmon t’i ketë dhënë para korrupsioni Lefter Kokës. Kemi dorëzuar 3966 faqe me materiale provuese dhe ekspertuese që çmontojnë akuzën. Ato as nuk u lexuan nga prokuroria. Çfarë drejtësie është kjo?
Asnjë nga shoqëritë nuk zotërohet dhe nuk ka lidhje me Lefter Kokën. Kjo është një anomali juridike.
Asnjë qindarkë e pa justifikuar nuk është gjetur në pasurinë e Lefter Kokës. Asnjë cent nuk është kapur si provë e korrupsionit. Prokuroria flet për dyshime, por dyshimet janë në favor të Lefter Kokës. Asnjë ligj i shkelur nuk citohet nga Prokuroria. Asnjë lek dëm nuk është shkaktuar nga veprimtaria ekzekutive e ministrit të Mjedisit. Akuzat pa prova forcojnë bindjen se Lefter Koka sulmohet politikisht”, thanë ndër të tjera avokatët e Lefter Kokës në relacionin e tyre.