Një situatë absurdi e quan gjyqin ndaj tij për tragjedinë e Gërdecit ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
“Është një situatë kaq absurde sa është tërësisht e papranueshme që ministri të gjykohet se ça janë kalibrat apo elemente të tjerë që nuk kanë të bëjnë me detyrën e tij. Këto çështje janë të karakterit ushtarak. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë të ndara përgjegjësitë civile dhe ushtarake. Jemi në një realitet që është absurd”, tha Mediu.
Seanca e sotme në gjykatan e posaçme dështoi pasi ekspertët ushtarakë nuk ishin prezentë, ç’ka shkaktoi edhe shtyrjen e saj.
“Fakti për debatin e sotëm ishte sepse dy nga ekspertët nuk ishin prezent dhe do kishim dy procese paralele, duhet t’i çonim atyre pyetjet me shkrim për të marrë përgjigjet dhe pjesa tjetër do përgjigjej me gojë. Pra për të pasur një proces korrekt u la që t’i përcillen pyetjet me shkrim. Edhe pse ne kërkuam që debati të behej drejtpërdrejt, sepse ata janë ekspertë dhe kanë dijeni mbi ate se cfarë kanë shkruar. Por në këto rrethana u gjykua që ishte korrekte për të pasur një përgjigje nga të gjithë ekspertët sesa të kemi dy procese paralele”, deklaroi Mediu.
Seanca e radhës pritet të mbahet në datën 27 dhjetor. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre. Nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë.