Gjykata e Posaçme këtë të hënë ka pranuar kërkesën e SPAK për të kaluar në gjykim çështjen e kryebashkiakut të Tropojës, Rexh Byberi dhe nënkryetarit Abedin Kërnaja.
Ata akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit një dëm prej 2.7 mln euro. Byberi dhe Kërnaja akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, në lidhje me procesin e hapjes së rrugëve në Tropojë, në kundërshtim me rregullat e miratuara nga Këshilli i Ministrave.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 03.03.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr.1/2024, në ngarkim të të pandehurve:
Rexhë Byberi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal dhe Abedin Kërrnaja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal”.
2. Në seancën e datës 02.02.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 112, 332/dh, pika 1, gërma “a”, 332/ë dhe 332/gj, pika 1 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 15/80, datë 02.02.2026, vendosi:
I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.1, viti 2024 në ngarkim të të pandehurve:
1. Rexhë Byberi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal. 2. Abedin Kërrnaja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.
II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues. III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 6 volume hetimore (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes). IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim”, thuhet në njoftim.



