Gjykata e lartë e BE-së të martën (14 dhjetor) vendosi se Bullgaria duhet t’i lëshojë një dokument identiteti ose pasaportë foshnjës pa shtetësi të një çifti të të njëjtit seks nga Bullgaria dhe Gjibraltari.
Çështja ka të bëjë me një vajzë e cila ka lindur në vitin 2019 në Spanjë, ku asaj i është dhënë një certifikatë lindjeje që tregon dy nënat e saj si prindër. Por ajo nuk mund të merrte nënshtetësinë spanjolle pasi asnjëra nga gratë nuk është spanjolle.
Nëna nga Gjibraltari gjithashtu nuk mund t’i kalonte nënshtetësinë e saj britanike foshnjës pasi ajo nuk kishte lindur në Britani apo Gjibraltar.
Shtetësia bullgare mbeti e vetmja mundësi që do t’i lejonte fëmijës të udhëtonte. Por duke qenë se Bullgaria nuk lejon martesat e të njëjtit seks dhe nuk i njeh martesat e të njëjtit seks të kryera jashtë vendit, autoritetet refuzuan një kërkesë për shtetësi.
Ata këmbëngulin se për një kartë identiteti ose pasaportë bullgare, foshnja ka nevojë për një certifikatë lindjeje bullgare, e cila nuk mund të përfshijë dy persona të së njëjtës gjini dhe duhet të tregojë vetëm nënën e saj biologjike.
Dy gratë nuk kanë pranuar të tregojnë se cila prej tyre ka sjellë në jetë vajzën.
Nëna bullgare e çoi çështjen në Gjykatën Administrative të Sofjes, e cila vendosi në fillim të këtij viti të konsultohej me Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për këtë çështje.
“Shteti Anëtar shtetas i të cilit fëmija është, është i detyruar t’i lëshojë atij fëmijë një kartë identiteti ose pasaportë pa kërkuar që të hartohet më parë një certifikatë lindjeje nga autoritetet e tij kombëtare,”- tha GJED në vendimin e saj të martën.
Gjykata e Sofjes tani do të duhet të nxjerrë vendimin e saj në përputhje me opinionin e GJED-së, përpara të cilit foshnja nuk mund të largohet nga Spanja.
Dy nënat dhe organizata e të drejtave LGBTQ Deyshtvie, avokatët e së cilës i përfaqësonin ato në gjykatë, e mirëpritën vendimin të martën si “një hap i madh për të gjitha familjet LGBTQ në Bullgari dhe Evropë”.
Ata thanë se shpresonin se kjo mund të ndihmonte mijëra prindër të të njëjtit seks, fëmijët e të cilëve janë në rrezik të pezullimit të shtetësisë për shkak të dallimeve legjislative në të gjithë vendet anëtare të BE-së.
Avokatja e çiftit Denitsa Lyubenova u zotua se do ta çojë betejën ligjore edhe më tej, në mënyrë që të mundësojë që foshnja të bëhet trashëgimtare ligjore e të dyja grave./ Perktheu ne shqip “HistoriaIme” nga Euroactiv.com