Gjykata e Apelit rikthen për rigjykim çështjen e Aeroportit të Vlorës

Gjykata e Apelit rikthen për rigjykim çështjen e Aeroportit të Vlorës

Çështja e ligjshmërisë së ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë një zhvillim të rëndësishëm. Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur ta rikthejë për shqyrtim në shkallën e parë, duke mundësuar një gjykim të plotë mbi argumentet ligjore dhe mjedisore të projektit.

Vendimi vjen pas rreth tre vitesh vonesash proceduriale, ku ishte debatuar legjitimiteti i organizatave mjedisore si palë në proces. Me këtë vendim, gjykata i njeh si palë PPNEA, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe organizata të tjera që kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të paditësve, rikthimi i çështjes për gjykim në shkallën e parë konsiderohet një hap i rëndësishëm, pasi tani shqyrtimi do të fokusohet mbi thelbin e padisë dhe ndikimin e projektit në një zonë të mbrojtur natyrore.

Vendimi ende nuk është publikuar zyrtarisht dhe pritet të apelohet nga pala shtetërore dhe kompanitë e përfshira në projekt. Aktivistët dhe ekspertët e mjedisit e konsiderojnë këtë zhvillim si një fitore proceduriale që mund të ndikojë në fatin e aeroportit.

Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ku do të shqyrtohen të gjitha pretendimet ligjore të palëve.

Të Fundit