Rrezikon dega e mësuesisë, rënie me 20% nga viti në vit
Dega e gjuhës greke dhe asaj ruse në universitetet shqiptare janë drejt shkrirjes. Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, gjermanishtja dhe anglishtja mbeten degët më të preferuar nga maturantët.
“Kemi edhe programe që kanë inertes të posaçëm, në gjuhët e huaja vijojnë të mbajnë trendin gjuha angleze dhe gjermane. programe që janë problem janë gjuha ruse dhe greke. Tek gjuha ruse kemi vetëm një regjistrim, tek gjuha greke asnjë”.
Ajo që shihet me shqetësim janë degët e mësuesisë që vijojnë të pësojnë rënie me 20 % nga viti në vit, duke rrezikuar daljen e mësuesve të rinj për vitet e ardhshme.
“Kemi programe si fizika, kimia, filozofia, historia që kanë pak regjistrime. Ai mekanizmi që një maturant i mirë do jetë një mësues i mirë e ka penalizuar si program mësuesinë, ka rënë numri i aplikuesve. Ka një rënie mesatare deri në 20%”.
Mjekësia mbetet dega më e preferuar nga aplikantët maturantë duke u mbyllur regjistrimit në këtë fakultet që në raundin e parë. Në drejtësi, ekonomi dhe psikologji janë regjistruar mbi 94 % e aplikuesve. Për sa i përket vaksinimit të stafeve akademike, rektori Artan Hoxha thotë se 80 % e tyre kanë marrë dozat.