Gjobë 1 milion lekë për të kthyerit nga zonat e kuqe që nuk vetëkarantinohen.

Rritet numri i personave të prekur nga koronavirusi në vendin tonë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar 4 raste të tjera me COVID-19, 3 prej të cilave nga e njëjta familje ku rezultuan dy të infektuarit e parë.

Ndërkohë që është regjistruar edhe një vatër e re, bëhet fjalë për një 31-vjeçar me banim në Tiranë, që ka pasur histori udhëtimi me Milanon 6 ditë më parë dhe është kthyer pas një qëndrimi të shkurtër 1-ditor në vendin fqinj.

“Gjatë ditës së sotme janë testuar edhe 14 raste të dyshuara për COVID-19, tetë prej të cilëve persona të kontaktit të ngushtë me dy rastet e konfirmuara me koronavirusin e ri në vendin tonë. Nga rezultatet e 14 testimeve të kryera në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, rezulton se 4 persona kanë dalë pozitivë për COVID-19, 3 prej të cilëve persona të familjes me 2 rastet e para që u konfirmuan mbrëmjen e djeshme. Aktualisht, të gjithë personat e tyre të kontaktit po mbahen në vetëkarantinim të detyruar dhe po ndiqen nga ekipet e epidemiologëve për gjendjen e tyre shëndetësore”. Për momentin, gjendja e tyre rezulton pa probleme të veçanta. Deri tani janë testuar 77 raste dhe numri i atyre që kanë rezultuar pozitivë për COVID19 është 6.

MINISTRIA

Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manstirliu, urdhëroi dje që të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri nga zonat me rrezikshmëri të lartë nga koronavirusi COVID-19, të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore. Urdhri i nxjerrë dje, pas dy rasteve të para në Shqipëri, synon parandalimin e përhapjes së virusit, ndaj ministrja e Shëndetësisë paralajmëron edhe gjobë deri në 1 milion lekë të vjetër, për ata të cilët thyejnë urdhrin.

“Të gjithë shtetasit që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që vijnë nga zona e izoluar në Itali, të vetëkarantinohen për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesave të tyre si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID-2019. Strukturat shëndetësore sigurojnë mbikëqyrjen e vazhdueshme të të gjithë personave të identifikuar si persona që kanë hyrë në vendin tonë nga zona e izoluar në Itali. Moszbatimi i këtij urdhri nga personat që hyjnë në Shqipëri nga zona e izoluar në Itali është i dënueshëm sipas dispozitave të nenit 35 të Ligjit nr 15/ 2016, ‘Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive’”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së shëndetësisë.

Ndërkaq, ligji për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve parashikon gjobë deri në 1 milion lekë për mosrespektuesit e ligjit.

“Mosraportimi i sëmundjeve infektive, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 5 të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën 100 000 lekë. Refuzimi për vendosjen nën mbikëqyrje shëndetësore, sipas përcaktimeve të pikës 1 të nenit 17, dënohet me 5 000 (pesë mijë) lekë, për personin objekt i mbikëqyrjes shëndetësore, dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë për punëdhënësin e personit objekt i mbikëqyrjes shëndetësore, moszbatimi i kalendarit të vaksinimit të detyrueshëm, mosregjistrimi i personave që duhen vaksinuar, mosmbajtja në kushte i ‘zinxhirit të ftohtë’ të vaksinave, korrigjimi i dokumenteve të vaksinimit, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dënohen me gjobë nga 100 000″, sanksionohet në ligjin për parandalimin e infeksioneve.

NDALIMI I HYRJES

Një tjetër urdhër që nxori dje Ministria e shëndetësisë ishte moslejimi i familjarëve apo shoqëruesve të prekur nga koronavirusi i ri në urgjencat apo qendrat shëndetësore. “Në ambientet e shërbimeve të urgjencës mjekësore, në institucionet e kujdesit shëndetësor do të ndalohet përkohësisht hyrja e shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve, me përjashtim të rasteve kur një kërkesë vjen nga drejtoria spitalore apo shefi i shërbimit të spitalit. E njëjta gjë do të ndodhë jo vetëm në shërbimin e urgjencës, por edhe në spitalet e tjera që janë pjesë e korpusit të spitaleve, siç është rasti i Spitalit Infektiv në QSUT. Por kjo do të jetë një normë për të gjitha spitalet”, tha Manastirliu.

Të Fundit