Gjykata e Posaçme urdhëron SPAK-un hetojë deputetin e Partisë Demokratike, Arjan Ndoja. Ish-prokurori sot deputet i Partisë Demokratike do hetohet për “pastrim parash” dhe “fshehje apo mosdeklarim pasurie”.
Vendimi është marrë nga Gjyqtari Erjon Çela. Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtari pasi mori në shqyrtim çështjen penale me objekt pushimin e hetimeve në lidhje me procedimin nr. 1804 të vitit 2023, i ardhur për kompetencë lidhur nga gjykata e shkallës së parë Tiranë, dhe pasi konstatoi pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve, vendosi të kthejë aktet pranë SPAK, duke urdhëruar regjistrimin e procedimit penal dhe nisjen e hetimeve.
Gjykata e Posaçme vendosi gjithashtu kalimin e akteve në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, si prokurori që ka kompetencë lidhur për hetimin e një deputeti.
Sipas gjykatës, statusi i subjektit të hetuar ka ndryshuar gjatë gjykimit, prandaj është kompetencë e SPAK të hetojë Arjan Ndoja.
Gjyqtari Çela ktheu aktet në SPAK dhe kërkon hetimin mbi dy vepra penale: “pastrim parash” dhe “fshehje apo mosdeklarim pasurie”.
NJOFTIMI I PLOTË I GJYKATËS SË POSAÇME
NJOFTIM PËR MEDIAT
Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me datë 25.09.2025 është regjistruar kërkesa me nr. 146 regj.them., dërguar për kompetencë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me kërkues Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 1804 të vitit 2023 regjistruar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” të parashikuar përkatësisht nga nenet 287 dhe 257/a të K.Penal”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 75/a, 128/a pika 1, gërma “b”, 131, 329/b/3 dhe 329/3/b të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 146, datë 14.11.2025, vendosi:
1. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, datë 25.07.2024, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 1804 të vitit 2023 regjistruar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” të parashikuar përkatësisht nga nenet 287 dhe 257/a të K.Penal”.
2. Kthimin e akteve që i përkasin procedimit penal nr. 1804 të vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vazhduar hetimet si prokuroria që ka kompetencën lëndore.
3/Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. Tiranë, më datë 14.11.2025.



