Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Klan News raporton se për Elman Abulen është vendosur “arrest në shtëpi”.
Sipas burimeve për media bëhet me dije se në gjykatë se gjatë këtyre muajve janë kryer 114 veprime hetimore në çështjen në ngarkim të Veliajt.
Mes veprimeve të kryera, SPAK thotë se janë akt-ekspertime celularësh, kontrolle dhe marrje dëshmish.
Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u bë në sallë nga avokatët e Veliajt pasi u njohën me rezultatet e hetimeve 2-mujore, por kërkesa nuk u pranua nga gjykatësi.
Pas seancës së sotme, avokatët e Veliajt do t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që u dha më 13 Mars.
Kujtojmë se Veliaj kërkoi revokim ose zëvendësim të masës së sigurisë dhe informacion dy mujor nga prokuroria lidhur me hetimet ndaj tij. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Bani, i njëjti që firmosi edhe masën e arrestit me burg në Shkurt të këtij viti.
Më herët, Veliaj tentoi të kërkonte lirinë përmes Gjykatës së Posaçme të Apelit, por iu refuzua kërkesa. Apeli ka argumentuar se kryebashkiaku i Tiranës për shkak të pushtetit mund të intimidojë dëshmitarë dhe të prishë prova duke rrezikuar hetimin.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në qeli për dyshimet se është përfshirë në korrupsion e pastrim parash, akuza që janë mohuar prej tij në disa reagime publike, por edhe para gjykatës. Në lidhje me këtë çështje akuzohet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa e cila është nën masat e sigurisë detyrim paraqitjeje dhe ndalim i daljes jashtë vendit.