“Gjithçka e bëra prej xhelozisë…” Mbajti peng e dhunoi për 1 javë të dashurën, lihet në burg 31-vjeçari

Gjykata e Tiranës ka lënë në arrest me burg, Gleard Gusholli, 31-vjeçarin i cili akuzohet se mbajti peng e dhunoi barbarisht të dashurën e tij 28-vjeçare. Ngjarja e rëndë ndodhi në një apartament në rrugën Frosina Plaku, në Tiranë.

Gazetarja Glidona Daci raporton se për 4 personat e tjerë që u arrestuan së bashku me Gushollin, kjo gjykatë caktoi masën detyrim paraqitje. Këta të fundit akuzohen se ndihmuan autorin të largohej nga vendi i ngjarjes dhe për moskallëzim krimi.

Një ditë më parë, vetë e reja 28-vjeçare rrëfeu për mediat dhunën e ushtruar nga Gusholli. Ajo tregoi se ishin njohur rreth 1 vit e gjysmë më parë dhe kishin qëndruar bashkë edhe në Gjermani, aty ku 28-vjeçarja jetonte e punonte. Edhe atje e kishte dhunuar dhe familja e saj e kishte përzënë nga shtëpia.

Por pavarësisht kësaj, e reja vendosi të vijë në Shqipëri për të bashkëjetuar me 31-vjeçarin. E ky i fundit, 1 javë pasi po bashkëjetonin, e mbylli në shtëpi dhe e dhunoi në formë barbare.

Gazetarja Glidona Daci raporton se para gjykatës, 31-vjeçari ka thënë vetëm se gjithçka e ka kryer për shkak të xhelozisë.

 

Më herët, gazetarja raportoi se Gusholli rezulton person i skeduar për trafikim të lëndëve narkotike në Austri dhe Gjermani, e po ashtu se ka ndryshuar emrin. 31-vjeçari, sipas Dacit, mësohet se ka lidhje familjare dhe me një personazh të njohur të botës, Gjergj Cukalin.

Të Fundit