Faruk Fatih Ozer, i ashtëquajturi bosi turk i kriptomonedhave, i cili u bë i njohur pasi u arrestua në Shqipëri pas arratisjes nga Turqia ku ishte shpallur në kërkim, është gjetur i vdekur në burg.
Themeluesi i bursës së kriptomonedhave “Thodex” u gjet i vdekur në burgun e sigurisë së lartë në Tekirdag të Turqisë.
Gjatë kontrolleve të kryera nga zyrtarët e burgut, u raportua se 30-vjeçari ishte varur me një çarçaf në banjën e qelisë së tij dhe nuk mundi të shpëtohej pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore.
Faruk Fatih Ozer, i cili thuhet se merrte mbështetje të rregullt nga njësia e mbështetjes psikologjike në burg, u arratis nga Turqia në vitin 2021 dhe u kap në Shqipëri më 30 gusht 2022, për t’u ekstraduar më pas në vendin e tij.
Bosi i shumëkërkuar jetonte në lagjen “5 Maji”, në Elbasan, por u kap në një nga plazhet në jug të vendit.
Pas vendimit të ekstradimit të Gjykatës së Apelit të Durrësit, Faruk Fatih Özer u dërgua në Turqi më 20 prill 2023. Gjykata e Lartë Penale e Anadollit, e cila vendosi për çështjen më 7 shtator 2023, e dënoi 30-vjeçarin me 11 vite e 6 muaj burg për “krijim, menaxhim dhe anëtarësim në një organizatë”, “mashtrim të kualifikuar” dhe “pastrim pasurie”.
Pas vendimit, dosja iu paraqit Gjykatës Rajonale të Drejtësisë të Stambollit për apelim. Dhoma e 22-të Penale, e cila shqyrtoi çështjen, rrëzoi vendimin e gjykatës dhe liroi Faruk Fatih Ozer nga akuzat për “krijim të një organizate kriminale”. Ai u urdhërua të mbetej në paraburgim për akuzat e tjera.
Trupi i Ozer u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi ndërsa Zyra e Kryeprokurorit Publik të Tekirdag ka nisur një hetim për rastin.
Gazetarja Ceylan Sever shkroi në X: “Ai qëndronte i vetëm në një dhomë në Burgun e Tipit F të Tekirdagit. Rojet kryejnë numërime në orën 8:00 të mëngjesit dhe 8:00 të mbrëmjes. Pas orës 8:00 të mbrëmjes, ai vari veten në derën e banjës me çarçaf. Kjo u vu re gjatë numërimit të mëngjesit”.
Faruk Fatih Ozer dyshohet se ka mashtruar rreth 400 mijë persona nëpërmjet platformës “Thodex”, bursë kriptovalutash e themeluar në vitin 2017 në Turqi. Prokuroria në Stamboll e hetoi Ozer për krimin e “mashtrimit të kualifikuar”.
Raporti kundër tij thotë se ka pasur një problem me tërheqjen e parave në llogaritë bankare në bursë për shtatë ditë dhe se bursa u mbyll plotësisht më vonë. Gjithashtu u theksua se faqja në internet “www.thodex.com” kishte rreth 400 mijë përdorues, përfshirë 390 mijë përdorues që tregtonin në mënyrë aktive kriptovaluta dhe financonin investime.



