Gjendet brenda krokodilit peshkatari i zhdukur

Mbetjet e një personi në Australi, i cili u zhduk teksa ishte duke peshkuar me miqtë u gjetën brenda një krokodili. BBC shkruan se Kevin Darmody, 65 vjeç, u pa herën e fundit në Queensland pasi ishte duke peshkuar në një zonë të njohur si habitat për krokodilët.

Pas dy ditësh kërkimesh policia vrau dy krokodilë të mëdhenj dhe brenda njërit prej tyre gjeti mbetje trupore të një njeriu. Policia tha se ky ka qenë fundi tragjik i Darmody. 65-vjeçari ka qenë një peshkatar me eksperiencë dhe një anëtar i njohur i komunitetit në Cape York.

Dy krokodilët, 4.1 metra dhe 2.8 metra të gjatë u qëlluan të hënën, 1.5 kilometra larg vendit ku peshkatari ishte parë për herë të fundit. Peshkatarët e tjerë që kanë qenë me të janë shprehur se nuk e kanë parë sulmin, por raportuan se e dëgjuan atë duke bërtitur.

Krokodilët janë diçka e zakonshme në Australi, por sulme të tilla janë të rralla. Vdekja e peshkatarit është sulmi i 13 fatal në Queensland që prej vitit 1985 kur nisën që të mbaheshin zyrtarisht të dhënat.

Gjuetia ndaj krokodilëve ndalohet që prej 1974. Prandaj për këtë arsye sot llogariten aty rreth 30 mijë krokodilë.

Të Fundit