Jemi në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan, pasi Shefqet Dybeli është drejtuar në redaksinë tonë për një problem, që ka me OSHEE-në. Vajza e tij, Merita Samarxhiu, e cila jeton prej vitesh në Itali, ka një apartament, ku nuk ka të lidhur energjinë elektrike, pasi ka jetuar jashtë. Para dy muajsh i ati, Shefqeti, pasi është pajisur me prokurë nga e bija, ka aplikuar për një matës të ri që në prill, ka paguar 217 mijë lekë dhe tani, në fund të majit, ende nuk e kane pajisur me matës.Ne iu drejtuam OSHEE-së Elbasan, ku inxhinieri Julmir Boja, na tha, se vonesa ka ardhur, për shkak të fluksit të madh të kërkesave për matës dhe avarive të tjera. Por ai premtoi, t’ia zgjidhë problemin qytetarit. Pas ndërhyrjes sonë, punonjësit e OSHEE-së Elbasan, vendosën matësat e këtij pallati, duke sjellë menjëherë dritat. Me meqë gazetarja fitoi bastin me qytetarin, Shefqet Dybeli ia merr valles në banesën e elektrifikuar.
