Gazetari grek: Shërbimet sekrete të Greqisë parandaluan një atentat ndaj Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i kishte shpëtuar një atentati. Ky është lajmi që jep gazetari grek Kostas Melissopoulos, i ftuar në një emision në televizionin grek Mega.

Sipas tij, ky incident ndodhi në Verën e vitit 2018, disa muaj pasi ishte nënshkruar Marrëveshja e Prespës.

Kanë qenë shërbime sekrete të Greqisë që parandaluan këtë atentat.

“Ne u informuam se shërbimet sekrete greke në bashkëpunim me agjencitë e huaja parandaluan një atentat ndaj Zoran Zaev. Nuk ka asgjë specifike deri tani. Informacionet e deritanishme janë vetëm maja e ajsbergut, ka ende shumë aspekte për t’u zbuluar”, tha gazetari grek Kostas Melissopoulos.

Sipas tij, shërbimet sekrete të Greqisë vunë në dijeni ministrin e Jashtëm grek. Më pas qeveria greke informoi kabinetin e Kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.

Në Ballkan, kjo kulturë e pastrimit të hesapeve politike nuk është e panjohur. Por kur ka një informacion të tillë në lidhje me një komplot për të vrarë një politikan, qeveritë e Ballkanit e marrin shumë seriozisht”, u shpreh gazetari.

Pas publikimit të këtij lajmi në shtypin grek nuk ka asnjë reagim si nga qeveria e Athinës, po kështu edhe nga Maqedonia e Veriut. /tvklan.al

Të Fundit