Kryetari aktual i Partisë Demokratike dhe njëherazi kandidati për kryetar i selisë blu, Lulzim Basha është ndalur këtë të premte në Vlorë dhe në Sarandë.
Gjatë takimit me anëtarë të partisë, Basha tha se PD hyri në një garë të pabarabartë në 25 prill. Sipas tij PD kishte vlerat, idealet dhe vizionin, ndërsa PS garoi në zgjedhje me banditë, me shukat e parave të drogës, të krimit, të bandave dhe korrupsionin shtetëror.
“Ne nuk e harruam asnjë çast të betejës, motivin se pse ishim në këtë betejë, për vlonjatët, për shqiptarët, për ndryshimin që e donin më 25 prill dhe që u mohua dhunshëm padrejtësisht, dhe në bindjen time përkohësisht, nga masakra zgjedhore. Se çfarë ndodhi e di fare mirë unë, e dinë fare mirë shqiptarët, e di gjithsecili prej jush. Çdokush po të vij e të flas këtu, do të tregojë shenjat e veta të betejës me të cilin është përballur. E pavarësisht gjitha këtyre, ne arritëm të shënonim diçka për Shqipërinë dhe demokracinë. Ne u rritëm, u bëmë më të fortë, u bëmë më të mëdhenj, me një përballje të pabarabartë ku kishim me vete vlerat tona, idealet tona, vizionin tonë, zgjidhjet për shqiptarët. Ata me banditë, ne me njerëz të ndershëm në krah, ata me shukat e parave të drogës, krimit, bandave, korrupsionit shtetëror, të buxhetit të vjedhur e të shpërdoruar të shtetit si asnjëherë, legalizimeve për votat, hashashit për votat, të ndërtimeve pa leje për votat, deri presionit të kompanive private për votat dhe ne me program dhe me aleancë me qytetarët, në aleancë me çdo grup shoqëror, me kontrata të firmosura për Shqipërinë ndryshe, për Shqipërinë e të nesërmes”, tha Basha.
Më tej Basha tha se Partia Demokratike është partia e vlerave teksa sulmoi kryeministrin Rama duke thënë: Ai ka 13 vite që s’bën zgjedhje në parti.