Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi njoftoi gjatë konferencës se në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të aplikohet për herë të parë përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor në Shqipëri.
Gjatë konferencës me temë “Mbikëqyrja e Digjitalizimit në Proceset Zgjedhore: Drejt Konvergjencës midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, Celibashi deklaroi se ky projekt do shërbejë si test, dhe nuk do të zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor.
“Kemi filluar në versionin eksperimental përdorimin e Inteligjencës artificiale për kërkimin dhe marrjen e informacioneve zgjedhore nëpërmjet faqes së internetit të KQZ dhe për të kërkuar ofruar asistencë dhe ofruar facilitet për administratën zgjedhore mundësi për ta marrë e përpunuar informacionin.
Në 9 nëntor të këtij viti do mbahen zgjedhjet e pjesshme. Stafi i KQZ po punon për të aplikuar për herë të parë përdorimin e AI në numërimin dhe vlerësimin e fletëve të votimit dhe nxjerrjen e rezultateve.
Ky projekt do shërbejë si test dhe për momentin nuk do zëvendësojë mënyrën e numërimit dhe vlerësimit të votave e cila do mbetet mënyra zyrtare e referimit për këtë aspekt të procesit zgjedhor”, deklaroi Celibashi.