Një vendim gjyqësor që detyron shtetin të paguajë 500 mijë euro për një aksident pa pasoja fatale ka shkaktuar reagimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë vendim si një “gafë” të drejtësisë.
“Kemi humbur një gjyq në Apel, ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë të ndodhur 8 vite më parë, ku nuk ka pasur as viktima dhe as të plagosur rëndë, por shoferi me bashkëshorten kanë pasur vizionin ta çojnë shtetin në gjyq për rrezikim jete. Vendimi është marrë brenda një dite dhe shteti është goditur me një faturë prej 500 mijë eurosh,” u shpreh Kryeministri.
Vendimi në fjalë është dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë më 24 dhjetor 2020, me gjyqtar Hektor Sinanaj, dhe është lënë në fuqi këtë muaj nga Gjykata e Apelit në Tiranë, me gjyqtare Marsela Dervishi.
Aksidenti ka ndodhur në gusht të vitit 2017, në kantierin e rrugës Vlorë–Peshkëpi, ku u përfshinë gjashtë gra, të afërme me njëra-tjetrën. Vetëm njëra prej tyre, Eglantina Demiraj, pësoi dëmtime në shtyllën kurrizore dhe vështirësi në lëvizjen e këmbëve, çka solli humbje të përkohshme të aftësisë për punë. Automjeti, i drejtuar nga Nikoll Kacaj, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.
Sipas vendimit gjyqësor, aksidenti ka ardhur si pasojë e mungesës së sinjalistikës dhe kushteve të papërshtatshme në segmentin rrugor ku po kryheshin punime. Edhe pse këto punime ishin kontraktuar nga një kompani private, përgjegjësia iu ngarkua Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për shkak se leja e ndërtimit ishte në emër të këtij institucioni, i cili konsiderohet përgjegjës për zhvillimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e projektit.
Gjykata vlerësoi se çdo dëm i shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij segmenti rrugor përbën një barrë që duhet të mbartet nga institucioni shtetëror që mban përgjegjësinë ligjore mbi projektin.