Furnizonte me kokainë lokalet në Dhërmi, arrestohet 46-vjeçari nga Tirana

Policia e Vlorës ka finalizuar një operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat bregdetare, ku fluksi i turistëve është rritur ndjeshëm gjatë sezonit veror.

Operacioni i koduar “Reset”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Dhërmi, çoi në arrestimin e një shtetasi që shpërndante kokainë në lokalet e natës në Dhërmi dhe Drimadhes.

Në pranga u vu shtetasi me inicialet M. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.

I dyshuari u kap në flagrancë në ambientet ku qëndronte në Drimadhes, ku pas kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi: 126 doza kokainë të gatshme për shitje, 136 400 lekë cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal dhe jë peshore elektronike, që përdorej për ndarjen e lëndës narkotike në doza.

Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se hetimet kishin nisur prej disa ditësh, pasi kishte dyshime se 46-vjeçari furnizonte me kokainë frekuentues të lokaleve të natës në zonën turistike të Dhërmiut.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje.

Të Fundit