Policia e Fierit këtë të dielë ka arrestuar një 42-vjeçar pasi magazinonte në banesën e tij medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe një pjesë të konsiderueshme të skaduara, të cilat më pas i hidhte në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Skadenca”, në pranga ka rënë shtetasit Bojken Bregovina 42 vjeç, banues në Fier, ku gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1635 kuti me ilaçe të ndryshme të skaduara, si dhe 2654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.
Njoftimi i plotë i policisë:
“Finalizohet pas një pune hetimore disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, operacioni policor i koduar “Skadenca”.
Magazinonte në banesë medikamente të ndryshme pa faturë tatimore dhe një pjesë të konsiderueshme të skaduara, të cilat më pas i hidhte në treg duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.
Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, 1635 kuti me ilaçe të ndryshme të skaduara, si dhe 2654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, pas një pune hetimore disamujore të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara nga hetimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skadenca”.
Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës në pronësi të shtetasit Bojken Bregovina.
Si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 4289 kuti me medikamente të ndryshme, ku një sasi e konsiderueshme e tyre ishte e skaduar dhe pjesa tjetër pa faturë tatimore.
Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas, prej një periudhe të gjatë kohore, magazinonte medikamente të skaduara dhe më pas i hidhte në treg, duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bojken Bregovina 42 vjeç, banues në Fier.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit Bojken Bregovina për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’”, thuhet në njoftim.



