Fshihen 1 miliardë euro detyrime të bizneseve, gati zbatimi i paqes fiskale

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar 7 ligje të paktës fiskale. Ndër to me rëndësi dhe që prekin një masë të gjerë individësh e biznesesh, është marrëveshja për paqen fiskale dhe falja e detyrimeve tatimore e doganore më të vjetra se 10 vjet.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se paqja fiskale do të jetë një marrëveshje midis Administratës tatimore dhe bizneseve e gjeneruar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, e cila shmang kontrollet tatimore, përmirëson klimën e biznesit, por nga ana tjetër garanton mbledhjen e detyrimeve tatimore përmes një tatimi të dakordësuar për fitimin.

Kështu, tatimpaguesit, mund të aplikojnë për lidhjen e marrëveshjes së paqes fiskale. Ndërsa tatimi do të dakordësohet mbi një formulë, bazuar në fitimet e deklaruara dhe një marzh fitimi ekstra.

Përfituese janë të gjitha bizneset e mëdha me fitime mbi 14 milionë lekë që nuk kanë detyrime të papaguara dhe nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë.

Ndërsa ligji i faljes parashikon që të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara, si dhe gjobat apo kamatvonesat, që i përkasin periudhave tatimore deri 31 dhjetor 2014, të fshihen automatikisht. Si rrjedhojë e zbatimit të këtij ligji përfitojnë afro 207 mijë biznese dhe janë afro 1 miliardë euro që do të falen.

Të Fundit