Fshehu 120 mijë euro, deputeti Asllan Dogjani: SPAK nuk merret me hajdutët, po me mua

SPAK ka dorëzuar në GJKKO dosjen ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani i akuzuar për mos deklarim dhe fshehje të pasurisë.

Tashmë do të jetë gjyqtarja e përcaktuar me short që do të vendosë mbi procedurat.

Dogjani pretendon se gjithçka bëhet pas denoncimeve të tija të shumta publike ndaj mazhorancës dhe sistemit të drejtësisë sot në Shqipëri.

“Në SPAK ata që janë hajdutë nuk shkojnë. Pra duhet të jesh hajdut që të mos shkosh te SPAK-u. Kjo tregon që nuk jam hajdut, prandaj më çojnë tek SPAK-u.

Por këtu është e qartë që ka një orientim ndaj meje nga qeveria, me synim për të na bërë pis edhe ne që nuk jemi bërë pis asnjëherë. Ka vendim politik, sepse kam guxuar të reagoj për interesin publik dhe një pronë publike.

Përpara pallatit tonë, ish-ndërtuesi në vitin 2006 nëpërmjet një të moshuari e ka paraqitur sikur jeton atje dhe e ka paraqitur se mban veglat atje dhe e ka legalizuar në 2020-ën dhe më pas ia ka kaluar djalit të tij.

Pra, pronën publike, ish-kopështi publik me 250 metra katror tokë, dhe jo vetëm kaq por na ka zënë dhe derën e pallatit”, u shpreh Dogjani për Ora News.

Dogjani akuzohet për fshehjen e 120 mijë eurove

Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht se ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të deputetit demokrat Asllan Dogjani, lidhur me deklaratën e pasurisë për një apartament me vlerë 120.000 euro.

Më 24 mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, Asllan Dogjani ka deklaruar se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

SPAK thotë se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash.

Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.

Pra, SPAK ka arritur të provojë se Asllan Dogjani nuk e ka përfituar apartamentin në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen kompanisë së ndërtimit “Protial”, por në këmbim të pagesave cash.

Të Fundit