Procesi mësimor për vitin e ri shkollor në një fshat të Fierit duket se do të nisë me probleme. Bëhet fjalë për fëmijët e fshatit Mbyet, të cilët prej shumë vitesh nuk kanë një shkollë 9-vjecare dhe janë të detyruar të udhëtojnë drejt qytetit duke përshkruar ato 7 km në ditë. Prindërit e fëmijëve kanë protestuar këtë të mërkurë duke kërkuar një mjet transporti për fëmijët dhe shtrimin e rrugës së amortizuar.
“Edhe në këmbë që vemi është shumë e rrezikshme nuk ka trotuar. Kur shkëmbehen dy makina shkojmë në kanal. Të na shtrojnë rrugën dhe të na bien një mjet për fëmijët.”, tha një prind. “Unë i çoj në këmbë, ftohtë, shumë e vështirë dhe në verë. Nuk ke ku e kalon fëmijën aty. Kemi kërkuar mjet ka tre katër vjet nuk e kanë çarë kokën. Votat i duan për vota vijnë por hallet e popullit nuk i zgjidhin.”- shprehen qytetarët.
Prej 15 vitesh, shkolla e fshatit është mbyllur dhe fëmijët janë të detyruar të zhvillojnë mësimin në shkollat 9-vjecare në fier, duke ecur çdo ditë në një rrugë, e cila është e rrezikshme për ta. Prindërit ngrenë shqetësimin se gjatë dimrit, fëmijët e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë. “Edhe një transport po të ketë nuk kalon në këtë rrugë tonën. Unë kam invalid në shtëpi. Taksia mua nuk me vjen. Me pret atje poshtë. Si ta çoj unë atje. Vetëm për rrugën nuk vjen.”- thonë ata.
Në shkollën e fshatit që nuk është në funksion prej 15 vitesh kanë qenë qindra fëmijë, ndërsa sot, ky fshat numëron rreth 30 fëmijë që kërkojnë të shkollohen, ndërsa për prindërit janë rritur kostot, pasi detyrohen ti dërgojnë në shkollë me makina private.