Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan Pelushi, u fronëzua të shtunën në një ceremoni madhështore të zhvilluar në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Me fillimin e ceremonisë në orën 11:00, ai mori zyrtarisht drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke nisur një kapitull të ri për besimtarët ortodoksë të vendit.
Qindra besimtarë u mblodhën në katedralen qendrore për të ndjekur nga afër momentin historik të fronëzimit të Kryepeshkopit të parë shqiptar që ulet në fronin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Kryepeshkopi Joan vlerësoi kontributin e Kryepeshkopit të ndjerë, Anastas Janullatos, për rindërtimin dhe forcimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Ai theksoi nevojën e ruajtjes së unitetit brenda komunitetit ortodoks dhe sfidat që paraqet epoka moderne.
“Perëndia dërgoi Kryepeshkopin Anastas në një periudhë sfiduese për Kishën tonë, kur ajo ndodhej në rënim. Falë sakrificave dhe vizionit të tij, kisha jonë u rindërtua dhe u ringrit fuqishëm. Predikimi i tij ka qenë gjithmonë dashuria dhe respekti për çdo njeri, vlera që duhet të vazhdojmë të ruajmë. Sfida të reja na presin, por me besim dhe unitet do të mund t’i përballojmë”, u shpreh Kryepeshkopi Joan.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues shtetëror që mbajti fjalim, e cilësoi fronëzimin e Kryepeshkopit Joan si një moment historik dhe një faqe të re në jetën shpirtërore të vendit.
“Fronëzimi i Kryepeshkopit Joan shënon një kapitull të ri për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Ky është një moment solemn që pasqyron vazhdimësinë e besimit dhe përkushtimit. Shpreh mirënjohjen time të thellë për Kryepeshkopin Anastas, i cili me urtësi dhe përkushtim e bëri Kishën më të fortë, duke e pajisur me një trashëgimi të çmuar shpirtërore dhe kulturore. Shteti do të vazhdojë të jetë gjithmonë përkrah Kishës dhe besimtarëve të saj”, deklaroi Begaj.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe figura të larta shtetërore, si kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrat Pirro Vengu dhe Blendi Gonxhja, si dhe ish-presidentët Bamir Topi dhe Alfred Moisiu. Gjithashtu, mes pjesëmarrësve u vunë re personalitete politike si deputeti Pandeli Majko dhe kreu i PD-së, Sali Berisha.
Ceremonia u nderua gjithashtu nga krerët fetarë të Shqipërisë, përfaqësues të 13 Kishave Ortodokse nga e gjithë bota, si dhe delegacione nga Greqia, mes të cilëve Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, dhe Ministrja Greke e Edukimit dhe Fesë.