Një incident është regjistruar mëngjesin e sotëm në një nga qendrat e votimit në Elbasan, ku një 56-vjeçare është shoqëruar nga policia pasi është kapur në flagrancë duke fotografuar fletën e votimit.
– Advertisement –
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Elbasanit, rreth orës 07:45 është bërë një kallëzim nga një anëtar i komisionit të qendrës së votimit nr. 2321, në lagjen “5 Maj”. Shtetasi I. P. ka raportuar se shtetasja M. C., 56 vjeçe, kishte fotografuar votën gjatë qëndrimit në kabinën e votimit.
Pas njoftimit, forcat e rendit kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit shtetasen në fjalë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Autoritetet bëjnë me dije se procesi i votimit në këtë qendër ka vijuar normalisht, pa probleme të tjera.
Sipas ligjit shqiptar, fotografimi i fletës së votimit përbën shkelje të rëndë të rregullave zgjedhore dhe cënon parimin e fshehtësisë së votës, një ndër garancitë kryesore të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.