Fondet e BE-së për bujqësinë, flet Krifca: Jemi përballur pa frikë me hetimin, kemi rezultate pune

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, sqaroi nga Kuvendi pezullimin e faturës së rimbursimit nga Drejtoria e Përgjithshme për Bujqësi dhe Zhvillim Rural e Komisionit Evropian për një pjesë të shpenzimeve të radhës të fondeve për mbështetjen e bujqësisë.

Ministrja sqaroi se është e vëmendshme për çdo rekomandim. Ajo theksoi se nuk thuhet në asnjë moment për korrupsion. Krifca nënvizoi se AZHBR raporton në mënyrë periodike. Prandaj, sipas ministres, në këtë hetim janë përballur pa frikë pasi agjencia ka rezultate pune.

“Deklarata e Komisionit Europian ka qenë e lidhur me denoncimet e bëra pranë kësaj strukture për dyshime korrupsioni. Nuk thuhet në asnjë moment se ka korrupsion, ashtu siç e keqpërdorni ju. Ne nuk pretendojmë se jemi perfektë. Nuk e ka thënë kush. Konstatimet dhe rekomandimet i shohim si një mundësi për të ndërtuar procese më të forta dhe transparente. Me cilësinë e Ministrit të Bujqësisë jam unë më shumë se kushdo e vëmendshme që çdo rekomandim të vëmendshëm për korrigjim ta zbatojmë për të përmirësuar procese administrative dhe punën e agjencisë për të krijuar më shumë zhvillim për vendin. Sa më përket mua si ish-titullare e këtij institucioni i kam ofruar disponibilitet të plotë zyrës së OLAF duke bashkëpunuar ngushtësisht me ta si dhe kam dorëzuar pranë tyre një raport të hollësishëm, të detajshëm me qëndrimin tim faktik mbi proceset e punës. Me gjithë zemër, me gjithë mendje, mirëpres me padurim që të shihni të gjitha proceset e rritjes dhe zhvillimit të forcimit institucional të strukturave tona. AZHBR është një institucion financiar që raporton në mënyrë të përmuajshme, periodike brenda strukturave të akredituara. Raporton në Bruksel, raporton për këtë program në Komitetin e Monitorimit dy herë në vit, kontrollohet çdo ditë të vitit nga një mori strukturash të brendshme apo të jashtme. Ndaj ne jemi përballur me këtë hetim pa frikë. Kemi rezultate pune dhe procese të ngritura gjurmueshmërie që e mbrojnë punën tonë. Të jeni të sigurt se edhe rekomandimet që do të sillen nga kjo strukturë, nëse do të rezultojnë në parregullsi, mashtrim, çfarëdo qoftë edhe korrupsion po të doni, qoftë në formën e indicieve të vogla, ne si qeveri jemi të interesuara që t’i shndërrojmë ato në hetime të mirëfillta administrative apo edhe t’i referojmë në strukturat ligjzbatuese sipas rastit për ta ngritur imazhin dhe standardin e institucionit”, tha Krifca.

Ministrja shtoi më tej se “OLAF është i domosdoshëm si mekanizëm për institucionet tona ashtu sikurse ndodh në cdo vend anëtar përfitues të fondeve të BE-së”.

Të Fundit