“Flitet se negociatat janë bllokuar, ndaluar”, Rama: Totalisht e pavërtetë, jemi sipas agjendës

Në aktivitetin që po mbahet për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin public, kryeministri Edi Rama ka folur mbi rëndësinë e administratës publike si dhe lidhur me negociata për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kryeministri ka vënë në dukje se administrata publike ka sjellë zhvillimin në disa aspekte për Shqipërinë, duke shtuar se ka vend për përmirësime.

“Është e vështirë të ndërtosh një administratë publike të standarteve europiane në një vend të vogël, me lidhjet e panumërta krahinore që ka Shqipëria. Është falë kësaj administrate që shumë ç’ka tjetër reflektohet pozitivisht.

Procesi i negociatave ecën përpara me sukses me një shpejtësi unike, jo vetëm për meritën tonë, pra falë kësaj administrate që vendi zhvillohet në cdo aspekt, pavarësisht problematikave.

Ne sot jemi në kushtet kur kemi hapur gjithë kapitujt, diskutojmë me Komisionin Evropian në krah. Përballë kemi shtetet anëtare për piketat e ndërmjetme që janë një moment kyç në negociata për të cilat Komisioni Evropian ka dhënë vlerësim pozitiv për Shqipërinë”, tha Rama.

Kryeministri gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet se negociatat mund të jenë bllokuar, duke shpjeguar se i gjithi procesi po vijon ashtu siç është planifikuar në agjendë.

“Flitet se negociatat janë bllokuar, ndaluar, totalisht e pavërtetë. Negociatat nuk janë një shëtitje në lëndinë, janë një proces testimi i vazhdueshëm. Ky test që tani zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare është kyç por ka zero motiv për të folur për bllokim apo pengim. Jemi sipas agjendës së përcaktuar. Prilli është muaji i diskutimeve intensive, pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare. Pas diskutimeve do vijë vendimmarrja”, ka theksuar Rama.

Të Fundit