Mbrëmjen e kaluar një fabrikë bojërash në Maminas është përfshirë nga flakët.
Zjarri ka qenë masiv, ndër bëhet me dije nga Ministria e Mbrojtjes se në shuarjen e flakëve janë angazhuar mjete zjarrfikëse dhe forca nga Tirana e Durrësi, me ndihmë edhe nga Baza për Mbështetjen e Emergjencave Civile.
Gjithashtu në terren ka qenë një grup specialistësh nga Kapaciteti Kombëtar i Kimisë për të bërë matjet dhe për të qenë në gatishmëri.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, kreu i emergjencave Civile, Haki Çako, ka bërë me dije se zjarri është vënë nën kontroll.
Ai tha se zjarri kishte përfshirë pjesën e prodhimit të bojës dhe depozitimit të lëndëve kimike, por falë ndërhyrjes së zjarrfikësve u shpëtua pjesa e administratës së fabrikës.
Çako nënvizoi se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit dhe pritet ekspertiza.
“Aktualisht situata është në kontroll. Është dashur të angazhohen zjarrfikës nga të gjitha bashkitë e Tiranës, por dhe Forcat e Armatosura. Situata është në kontroll edhe pse ka prezencë të shtuar të zjarrit. Është një zjarr masiv.
Aktualisht nuk jemi në gjendje të japim një përcaktim të saktë mbi shkaqet, por nga informacionet paraprake, zjarri ka ardhur nga brenda. Këtë më pas do ta përcaktojnë ekspertët pas fikjes së zjarrit, policia do të bëjë hetimin paraprak të vendngjarjes për ta referuar më pas në prokurori.
Zjarri ka përfshirë pjesën e prodhimit dhe depozitimit të lëndëve kimike. Pjesa e administratës është shpëtuar falë ndërhyrjes së zjarrfikëses”, tha Cako.